Serxhio Ramos është i ndërgjegjshëm se të gjithë lojtarët e Realit duhet të pranojnë faktin se kanë mbyllur një sezon pa trofe dhe duhet të marrin përgjegjësitë mbi vete për një fakt të tillë.
“Ky është realiteti dhe të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësinë. Nuk ka asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme. Kundërshtarët tanë ishin fitimtarë të merituar të trofeut. Pas golit të pësuar, ne nuk ishim aq të bindur te përmbysja, ndërsa ata shfrytëzuan maksimalisht çdo armë të tyre. Por gjëra të tilla ndodhin kur humbet 4-5 raste, kjo është arsyeja pse aktualisht gjendemi në një situatë të tillë”, shpjegoi mbrojtësi i cili në pjesën e dytë të sezonit ka mbajtur shiritin e kapitenit të skuadrës.
“Kemi humbur kampionatin, Kupën dhe Ligën e Kampioneve. Por duhet të fillomë sezonin e ardhshëm me ambicie dhe besim, nuk kërkojmë gjë tjetër”, u shpreh ai.
Një nga protagonistët e pjesë së dytë të sezonit, portieri Diego Lopez, ka mbrojtur paraqitjet e tij. I blerë në janar për të zëvendësuar Kasijas të dëmtuar, ai ka siguruar një vend si titullar por nuk ka mundur të shmangë kapitullimin e ekipit pikërisht në etapat finale.
“Erdha këtu në janar në një betejë të humbur dhe mendoj se kam qenë në lartësinë e klubit. Kam dhënë shpirtin për këtë klub dhe jam mundur të jem në lartësinë e kërkuar. Më vjen keq që në këtë ndeshje nuk arritëm të siguronim lavdinë, por unë personalisht jam i lumtur me çfarë kam dhënë këtu dhe do të luftoj për të mbrojtur vendin tim”, ishte mesazhi i tij i qartë në adresë të Iker Kasijas. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 09:27