Mario Baloteli ka treguar se është shumë i lumtur për faktin se u largua nga Anglia, ku kishte krijuar një imazh të keq dhe njerëzit nuk e ndihmonin shumë për të shpëtuar nga një imazh i tillë.
21 vjeçari kaloi tre sezone te Mançester Siti, po u largua në janarin e këtij vitit për të shkuar te Milani, pasi në radhët e klubit anglez kishte humbur edhe besimin e trajnerit Roberto Mançini.
“A më kanë trajtuar në mënyrë të padrejtë në Angli? Po”, ishte pohimi i Balotelit në një intervistë për “CNN”. “Por nuk dua të flas nëse jam trajtuar keq apo jo. Nuk më intereson. Tani jam larguar nga Anglia dhe jam i lumtur për një gjë të tillë. Tani jam shumë i lumtur pasi jam pranë familjes dhe miqve të mi. Mund të qetësohem dhe të gjej pak nga privatësia ime, më shumë sesa në Angli ku isha shpesh i vetëm”.
“Gjërat që kanë shkruar nëpër gazeta, që thuhet se kam bërë në Angli, shumë pak janë të vërteta. Pjesa më e madhe janë vetëm pjesë e imagjinatës së gazetarëve. Por kur të krijohet imazhi i një personi të atij lloji, më pas të gjithë mendojnë se je i tillë dhe të gjithë i marrin edhe gënjeshtrat për të vërteta të mirëqena. Në jetën time kanë ndodhur gjëra të veçanta, por nuk mendoj se kanë ndodhur gjëra të cilat mund të shtyjnë njerëzit të mendojnë se unë jam i çmendur”, tha futbollisti italian. “Jam një njeri normal. Por e rëndësishme për mua është se njerëzit që më njohin, e dinë se si jam”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 09:25