Zhoze Murinjo mendon se të gjithë do ta ndjejnë mungesën e Aleks Ferguson kur ky i fundit të largohet në fund të sezonit dhe të mos ulet më në pankinën e Mançester Junajtid. Portugezi ka shprehur admirimin e tij për një prej trajnerëve për të cilët ka më shumë respekt, ndërsa ka pranuar se nuk është i çuditur nga suksesi i skocezit për shumë vite me radhë.
“Ne të gjithë do ta ndjejmë mungesën e tij dhe për mua do të jetë e vështirë të shkoj në “Old Traford”, sidomos në ndeshjen e parë, për të luajtur përballë Mançester Junajtid pa pasur më një figurë të tillë përballë meje. Ai është unik dhe ndoshta Mançester Junajtid është një klub unik pasi ata i dhanë trajnerit mundësinë për të bërë punën e tij”.
“Të gjithë e dinë që fillimet nuk ishin të lehta për të. Të gjithë e dinë se iu deshën 3-4 vite për të fituar trofeun e parë dhe Mançester Junajtid i krijoi atij kushtet për të bërë një punë të shkëlqyer. Pas saj, ai ishte unik, absolutisht unik. Numri i trofeve që ka fituar për Mançester Junajtid në futbollin anglez është i pabesueshëm dhe po aq e pabesueshme është të drejtosh për më shumë se 20 vite”, ishin elozhet e Murinjos.
Portugezi ka krijuar një miqësi të veçantë me Ferguson që nga hera e parë kur u vunë përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë, atëherë kur Murinjo drejtonte Porton drejt suksesit në Ligën e Kampioneve.
“Shënuam në minutën e fundit duke u kualifikuar dhe nuk ishte normale për mua, për kulturën që njihja unë, që trajneri kundërshtar pas ndeshjes të vinte të trokiste në derën e dhomës së zhveshjeve dhe të më ftonte për një gotë verë. Aty filloi miqësia jonë. Më pas, kur shkova në Angli, te Çelsi, u ndeshëm edhe shumë herë të tjera. Por nuk kishte rëndësi se kush fitonte apo luante, respekti gjendej gjithmonë aty”, shpjegoi Murinjo miqësinë e tij me trajnerin skocez. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 10:00