Frenk Lampard ka nënshkruar sot një kontratë të re njëvjeçare me Çelsit, duke i dhënë fund spekulimeve për largimin e tij. Mesfushori u vlerësua për sezonin e shkëlqyer që kaloi duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, si dhe për faktin se ishte kapiteni i suksesshëm në natën e mbrëmshme duke i dhënë klubit trofeun e Europa League.
Lajmin e dha shefi ekzekutiv i Çelsit, Ron Gurlei, i cili bërë të qartë se klubi kishte vendosur të bënte këtë hap të rëndësishëm, që mund të jetë edhe i fundit në karrierën e mesfushorit anglez.
“Frenk ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Çelsin për një kohë të gjatë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset e klubit. Kemi folur me të që nga fundi i vitit të kaluar dhe bisedimet kanë qenë pozitive. Jemi të lumtur që tani po lajmërojmë zgjatjen në kontratën e tij dhe që do ta mbajë atë në klub deri në vitin 2014”.
Edhe Lampard ka qenë shumë i lumtur me vendimin që me sa duket është finalizuar gjatë ditës së sotme.
“Jam tmerrësisht i kënaqur. Të gjithë e dinë që ëndrra ime ishte të qëndroja te Çelsi. Kemi diskutuar me drejtuesit prej kohësh, po ndonëse bisedimet zgjatën, ato kanë qenë gjithmonë miqësore. Dua të falënderoj z. Abramoviç që bëri realitet ëndrrën time”, deklaroi mesfushori anglez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 May 2013 19:01