Devid Bekam i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur, pasi është tërhequr përfundimisht nga aktivitetet si futbollist, ndonëse përflitej se do të rinovonte me Paris Sent Zhërmen ku kaloi muajt e fundit të karrierës së tij.
Lojtari e ka bërë lajmërimin nëpërmjet një deklarate në mediat angleze, ku bënte të qartë se po mbyllte përfundimisht karrierën e tij të suksesshme në moshën 38 vjeçare.
“Falënderoj PSZH që më dha mundësinë të vazhdoj por e ndjej që tani ka ardhur koha e duhur për të mbyllur karrierën time, duke luajtur në nivelet më të larta. Nëse do të më kishit thënë kur isha fëmijë se do të kisha luajtur dhe fituar trofe me klubin e fëmijërisë, Mançester Junajtid, se do të isha kapiten dhe do të luaja më shumë se 100 ndeshje për vendin tim dhe të isha pjesë e disa prej klubeve më të mëdha në botë, do t’ju kisha thënë se është fantazi. Jam me fat që kam bërë realitet ato ëndrra”, ishte mesazhi i Bekam për tifozët e tij.
Anglezi, që mendohet se ka një pasuri që kalon mbi 165 milion paund, debutoi me Mançester Junajtid në vitin 1992, duke fituar 6 tituj kampion dhe Ligën e Kampioneve para se të transferohej më pas te Real Madrid e LA Galaksi, pa harruar huazimin te Milan apo aktivizimin në muajt e fundit te PSZH.
Ai debutoi me kombëtare në vitin 1996 dhe u bë një nga lojtarët që ka luajtur më shumë me fanellën e kësaj përfaqësueseje, me 115 ndeshje. A i gjithashtu u bë futbollisti i parë anglez që shënon në tre edicione të njëpasnjëshme të Kupës së Botës.
Lajmi i largimit të Bekam nga futbolli i luajtur ka bërë thuajse po aq bujë sa lamtumira e Aleks Ferguson pak ditë më parë, pasi futbollistë, trajnerë, personalitete të futbollit dhe jo vetëm e kanë përshëndetur atë duke e vlerësuar për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 May 2013 18:58