Jup Heinkes mund të kthehet në trajnerin e ardhshëm të Paris Sent Zhërmen apo Real Madrid, në varësi të asaj që do të zgjedhë të bëjë Karlo Ançeloti. Lajmi i bujshëm vjen nga mediat franceze, sipas të cilëve, sheikët e PSZH mendojnë se trajneri aktual i Bajern Mynih, ka treguar se është ndër më të mëdhenjtë në qarkullim dhe mund të ndihmojë skuadrën të bëjë hapa të tjerë para, nëse italiani i drejtohet Real Madrid për të zënë vendin e Murinjos. Por edhe spanjollët mendojnë se trajneri gjerman mund t’i ndihmojë, nëse nuk arrijnë të sigurojnë firmën e teknikut italian.
Shkatërrimi që Bajerni i bëri me rezultatin 7-0 Barcelonës në Ligën e Kampioneve ka bindur më shumë si sheikët, ashtu edhe Perez, që të shohin me prioritet Heinkes, i cili mbetet i papunë në fund të këtij sezoni, i zëvendësuar në stolin e bavarezëve nga Pep Guardiola.
Vetë Heinkes ka lënë ende mister të ardhmen e tij, duke bërë të qartë se nuk ka filluar të bisedojë me asnjë klub, por duke parë ndryshimet e shumta të trajnerëve në skuadrat e mëdha në Evropë, nuk duket e çuditshme nëse edhe ai do të përfundojë në këtë vorbull dhe të përfundojë në fakt në një prej pankinave më të lakmuara.
Gjithsesi, trajneri gjerman do të presë të mbyllë sezonin perfekt para se të marrë vendimin e tij, pasi aktualisht, në drejtimin e Bajern ka fituar kampionatin, ndërsa brenda dy javëve të ardhshme mund të fitojë edhe Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 May 2013 10:20