Malaga ka bërë të ditur se trajneri Manuel Pelegrini ka leje të largohet nga ky klub gjatë verës nëse gjen një skuadër tjetër. Sipas mediave në Spanjë dhe Angli, trajneri kilian ka nënshkruar që tani një kontratë dyvjeçare me Mançester Sitin për të zëvendësuar Roberto Mançinin që u shkarkua dy ditë më parë.
Tani Mançester Siti mund të ketë mundësinë që të negociojë hapur me Pelegrinin për postin e ri, edhe pse është tashmë e qartë për të gjithë se kiliani do të jetë pasuesi më i mundshëm i Mançinit dhe do të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Zyrtarizimi mbetet për t’u bërë në ditët në vazhdim, por sipas “Daily Mail”, Pelegrini ka marrë një ofertë interesante edhe nga Barcelona, e cila nuk ka sigurinë se Tito Vilanova do të vazhdojë rregullisht në sezonin e ardhshëm dhe po negocion me të në mënyrë që ta zëvendësojë për të evituar problemet e sezonit që sapo përfundoi.
Edhe Mançester Siti, ndonëse ka një akord parimor me kilianin, po sheh rreth e rrotull se mos gjen një tjetër trajner të njohur të lirë për t’iu bashkuar atyre. Por deri tani kërkimi ka shkuar bosh ndaj Pelegrini mbetet alternativa më e mirë e mundshme, me konfirmimin zyrtar të lëvizjes që do të vijë në fundjavë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 May 2013 19:26