Trajneri i përfaqësueses braziliane, Luiz Felipe Skolari, i ka dalë në mbrojtje yllit të kombëtares që drejton, Neimar, për të cilin pretendohet se ka qenë krejtësisht jashtë formë gjatë muajve të fundit dhe se nuk e meritonte të grumbullohej në Kupën e Konfederatave.
Skolari la jashtë emra si Ronaldinjo, Kaka e Pato, por vendosi të grumbullonte sulmuesin e Santos, pasi 64 vjeçari mendon se e meriton plotësisht të marrë pjesë në këtë aktivitet.
“Neimar ka luajtur mirë. Unë e kuptoj që njerëzit do ta kundërshtojnë këtë ide. Por ai po luan shumë mirë sipas këndvështrimit tonë dhe kjo që po bën aktualisht është ajo që prisnim prej tij”.
Më pas, ai ka shpjeguar nëpërmjet shembujve të së kaluarës së pse nuk ka grumbulluar Ronaldinjon, duke lënë të kuptohet se ai nuk ishte më një vlerë e shtuar për ekipin aktual.
“Shpesh kritikohemi pse zgjedhim lojtarin A, B apo C. Shumë vite më parë, në Portugali me kritikonin pse zgjidhja Kostinja. Por Kostinja më jepte gjithçka për të cilën unë kisha nevojë nga një mesfushor mbrojtës, edhe pse ai nuk ishte titullar në klubin tij. Ky është kriteri që unë përdor, atë të rëndësisë që ka një lojtar te ekipi aktual. Por veteranët nuk e kanë derën të mbyllur në të ardhmen”, deklaroi trajneri i Brazilit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 May 2013 10:43