Viktor Valdes është i bindur të largohet sa më parë nga Barcelona dhe u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit që mund ta nxjerrin në shitje që në fund të këtij sezoni.
Portieri i katalanasve ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me këtë klub, por nuk dëshiron ta respektojë atë, pasi mendon se është momenti iu duhur për të lënë Spanjën dhe për të kërkuar një aventurë të re. Ndaj në ditët e fundit, ai i ka bërë të qartë drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta, se do të largohet pas qershorit, me destinacionin më të mundshëm që mbetet Anglia.
Atje, portieri i përfaqësueses spanjolle po ndiqet me interes nga Arsenali, që sheh portën si një nga pikat më të dobëta dhe kërkon një gardian me eksperiencë, ashtu si Valdes i cili ka fituar shumë trofe në vitet e fundit në radhët e ekipit katalanas.
Kjo ka shtyrë Barcelonën të intensifikojë kontaktet me Andre Ter Shtegen të Borusia Mynshengladbah. Portieri i ri gjerman kushton rreth 10 milion euro dhe për momentin duket në pozicion më të favorshëm për të siguruar kalimin e tij te katalanasit, ku opsione të tjera për këtë rol janë Pepe Reina dhe Vicente Guaita. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 May 2013 10:42