Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç, golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në kampionatin francez të futbollit, ka bërë të qartë që dëshiron të vazhdojë te PSZH edhe në sezonin tjetër, në një skuadër ku ai ka qenë protagonisti kryesor i fitores së titullit kampion.
“Është e vërtetë që shumë njerëz më pyesin për të ardhmen time”, pranoi sulmuesi, autor i 27 golave në kampionat dhe forca kryesore ofensive e skuadrës parisiene.
“Por unë kam edhe dy vite të mbetura në kontratën time këtu në Paris dhe klub vazhdon të ndërtohet dhe të rritet gjithnjë e më shumë. Personalisht, unë e ndjej veten pjesë të këtij procesi”.
“Shpresoj që klubi të vazhdojë të zhvillohet dhe të ecë para drejt shpresave dhe ëndrrave që kanë drejtuesit. Unë mendoj se do të vazhdoj të jem pjesë e këtij projekti”, ishte deklarata që bëri sulmuesi në faqen e internetit të vetë klubit parisien, duke lënë të kuptohet se për momentin ka hedhur pas krahëve të gjitha spekulimet për një kthim në Itali. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 May 2013 10:37