Borusia Dortmund ka filluar që tani të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe përforcimet që i duhen për të zëvendësuar lojtarët që do të largohen në fund të këtij edicioni. Në ditët e fundit, shefi i klubit, Mikael Zork dhe trajneri Jurgen Klop, kanë udhëtuar nëpër Evropë për të ndjekur disa nga futbollistët që kanë piketuar si përforcime të mundshme.
Emri i parë është ai i mesfushorit belg, Kevin De Bruyn, i cili ka shkëlqyer këtë vit në radhët e Verder Bremen, ku është huazuar nga Çelsi. Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, futbollisti ka arritur një marrëveshje paraprake me Borusia Dortmund për një kontratë pesëvjeçare, ndërsa klubi gjerman duhet të paguajë rreth 15 milion euro në arkat e Çelsit nëse dëshiron të sigurojë shërbimet e tij. De Bruyn shihet si zëvendësuesi ideal i Mario Gëtze, i cili do të transferohet te Bajern Mynih në fund të sezonit.
Më i vështirë duket zëvendësimi i Robert Levandovski, pasi klubi gjerman kërkon një golashënues të mirëfilltë të të njëjtës cilësi. Për këtë arsye, në fundjavë Zork ka fluturuar drejt Anglisë, ku ka parë ndeshjen Aston Vila-Çelsi. Objektivi i vëzhgimit të tij ishte sulmuesi 22 vjeçar Kristian Benteke, i cili ka shënuar 12 gola në 34 ndeshje me skuadrën e Aston Vilës, ndërsa vlera e kartonit të tij është 12 milion euro.
Menjëherë pas ndeshjes, ai ka fluturuar me një avion privat drejt Portugalisë, ku është takuar me presidentin Hans-Joakim Uatzke dhe trajnerin Jurgen Klop. Të tre kanë parë ndeshjen mes Benfikës dhe Portos, ku kanë ndjekur me vëmendje paraqitjen e sulmuesit kolumbian të Portos, Xhekson Martinez. 26 vjeçari ka shënuar 25 gola në 29 ndeshje në kampionat, ndërsa çmimi i tij është rreth 20 milion euro.
Ky fakt është konfirmuar edhe nga Uatzke, i cili për mediat gjermane bëri të qartë se klubi po shihte çdo alternativë të mundshme për të zëvendësuar lojtarët që do të largohen. Emra të tjerë që ndiqen me interes janë Bernard i Atletiko Mineiro dhe Kristian Eriksen i Ajaks. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 14 May 2013 08:57