Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka bërë të qartë se të gjitha zërat për një mosmarrëveshje mes trajnerit Antonio Konte dhe drejtuesve të klubit nuk ekzistonin dhe se diskutimet e tyre të kohëve të fundit kanë pasur vetëm temë sportive.
“Konte nuk ka kërkuar më shumë para, por një plan për të vazhduar të fitojmë. Një dëshirë e tillë ekziston te të gjithë dhe tani do të vlerësojmë bashkë me të se cilët elementë do të na ndihmojnë të përmirësohemi. E gjitha bota e Juventusit pret që ne të fitojmë, gjë që duket normale, por në fakt nuk është e tillë”, ishte deklarata presidentit të bardhezinjve.
“Gjithçka funksionoi mirë, ekzistojnë të gjithë përbërësit e duhur dhe të gjithë duan të vazhdojnë të fitojnë. Vitin e ardhshëm kemi një takim me historinë, pasi duam të fitojmë 3 tituj kampion radhazi, gjë që nuk ndodh që nga vitet ’30. Sa tituj kemi fituar deri tani? 31, edhe pse me letra thuhet se janë 29. Liga e Kampioneve? Do të provojmë përsëri, me entuziazëm, përkushtim dhe shumë pasion”, ishte komenti i Anjelit, i cili gjithsesi ka bërë të qartë se bardhezinjtë nuk do të bëjnë çmenduri në merkato, duke filluar nga një kthim i mundshëm i Zlatan Ibrahimoviç.
“Futbolli italian është në vështirësi, ne jemi një kampionat tranzicioni më shumë se një destinacion përfundimtar. Gjithsesi, unë nuk e dua Ibrahimoviç te Juventusi. Por edhe kështu ne kemi një buxhet të rëndësishëm, Marota dhe bashkëpunëtorët e tij mund të ndërtojnë e çmontojnë skuadrën sa herë të duan, mjafton të mos tejkalojnë buxhetin që u është vënë në dispozicion”, bëri të qartë ai, duke paralajmëruar për një “revolucion” të vogël të mundshëm në radhët e kampionëve të Italisë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 14 May 2013 08:36