Karriera e Roberto Mançinit si trajner i Mançester Sitit është mbyllur në mënyrë aspak të këndshme pasi në natën e të hënës, klubi anglez shkarkoi nga detyra trajnerin italian, fiks një vit pasi ai kishte siguruar titullin kampion në Angli.
Mançinit, i cili pritet të përfitojë të paktën 7 milion paund si dëmshpërblim për shkarkimin e parakohshëm, iu tha se duhej të fillonte të kërkonte një sistemim tjetër vetëm pak orë pasi kishte përfunduar stërvitjen e fundit me skuadrën për ndeshjen e sotme kundër Riding. Për momentin, drejtimin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit të sezonit e ka marrë Brajan Kid, asistenti i tij, ndërsa dihet tashmë botërisht se klubi anglez është në pritje të Manuel Pelegrinit.
Edhe deklarata e klubit nuk ka qenë një mesazh i lehtë në adresë të trajnerit italian, drejtimi i të cilit në këtë sezon është cilësuar si një dështim i mirëfilltë.
“Pavarësisht përpjekjeve më të mira të çdokujt, klubi ka dështuar të arrijë objektivat e vendosura në këtë sezon, me përjashtim të kualifikimit në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm”.
“Kjo, e kombinuar me nevojën për një menaxhim të gjithanshëm ndryshe në klub, do të thotë se është marr vendimi për të kërkuar një trajner të ri. Ky ka qenë një vendim i vështirë për pronarin, drejtuesit dhe bordin, por është pasoja e një procesi të bilancit të fundit të sezonit”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi anglez.
Çuditërisht, shefi ekzekutiv i klubit, Khaldon Al Mubarak, nuk ka ngurruar të lavdërojë Mançinin, edhe pse ka qenë ai që ka firmosur letrën e shkarkimit të tij.
“Bilanci i Roberto flet qartësisht vetë dhe ai gëzon respektin të gjithëve, duke filluar nga Sheiku Mansur dhe unë, për të gjithë punën e palodhshme dhe përkushtimin gjatë 3 viteve e gjysmë. Ai padyshim që ka siguruar dashurinë dhe respektin e tifozëve tanë. Bëri atë që premtoi, duke sjellë sukses dhe trofe, duke thyer heshtjen 35 vjeçare të klubit që nuk fitonte trofe dhe duke na dhënë titullin ë vitin 2012”, ishin fjalët e numrit 2 të klubit anglez.
Tani pritet të mësohet e ardhmja e trajnerit italian, për të cilin flitet se ka interesim nga skuadrat italiane të Napolit dhe Romës, ashtu si edhe nga Monako në Francë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 14 May 2013 08:35