David Luiz ka bërë të qartë se do të ishte shumë i lumtur nëse Uejn Runi do të bëhej shok skuadre me të te Çelsi, ashtu siç është aluduar në shtypin britanik gjatë kohëve të fundit.
“Të gjithë i dinë cilësitë e tij, ndaj nëse ai dëshiron të vijë te Çelsi, pse të mos më pëlqejë një gjë e tillë? Unë do të isha shumë i lumtur nëse kjo gjë do të ndodhte”, ishte deklarata e futbollistit brazilian, i cili deri tani ka luajtur vetëm si kundërshtar ndaj futbollistit të përfaqësueses angleze.
Më pas, Luiz ka vlerësuar faktin se aktualisht po luan përkrah një legjende si mesfushori Frenk Lampard, i cili tani është zyrtarisht golashënuesi më i mirë i klubit londinez.
“Kam qenë shumë me fat që kam luajtur përkrah shumë lojtarëve fantastikë por ai është një hero te Çelsi. Unë thjesht jam shumë lumtur që futbolli më jep mundësinë të luaj përkrah disa lojtarëve shumë të mëdhenj. E vetmja mënyrë në të cilën unë ëndërroja të luaja përkrah tyre kur isha i ri, ishte nëpërmjet PlayStation”, ishte komenti humoristik i mbrojtësit të Çelsit. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 18:47