Radamel Falkao po bëhet gati të largohet nga Spanja, por jo për të shkuar në Angli, ashtu siç pritej, por në Francë. Atje është skuadra e Monako që ka bërë gati çekun prej 60 milion eurosh që nevojitet për të siguruar transferimin e futbollistit nga radhët e Atletiko Madrid. Por dyshohet se kjo është një manovër e futbollistit për t’u transferuar te Real Madrid.
Duke parë emrat e skuadrave të njohur asi Çelsi dhe Mançester Siti që kërkojnë futbollistin prej kohësh, zgjedhja e tij për të shkuar te Monako ka bërë të lindin dyshime të mëdha, pasi skuadra franceze sapo është ngjitur nga kategoria e dytë. Mediat spanjolle janë të bindura se kjo është strategjia që ka zgjedhur futbollisti për të anashkaluar klauzolën në kontratën e tij me Atletiko Madrid, ku nuk i lejohet që të transferohet te rivalët e përjetshëm të Real Madrid.
Në këtë mënyrë, ai do të kalojë 6 muajt e parë të sezonit të ardhshëm te Monako në Francë, për t’u transferuar më pas në janar te Real Madrid. Por nuk dihet nëse Real Madrid është aq i gatshëm të paguajë 60 milion euro për ta marrë futbollistin nga Monako, ndaj “teoria e konspiracionit” ka filluar të lëkundët disi. Kjo edhe për faktin se pronari i Monakos, multimilioneri Dmitry Rybolovlev, nuk ka arsye për t’i bërë nder madrilenëve, të paktën pa marrë diçka si shkëmbim. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 12:28