Gazeta spanjolle “AS” ka mësuar se si Real Madrid po mundohet të bindë brazilianin Neimar t’i bashkohet kësaj skuadre dhe jo Barcelonës, duke e bërë atë blerjen e madhe të sezonit të ardhshëm. Sipas kësaj gazete, madrilenët do t’i ofrojnë atij 10 milion euro neto rrogë në vit, të njëjtën shumë që përfiton aktualisht Kristiano Ronaldo, për t’i lënë të kuptohet se për ta është shumë i rëndësishëm.
Ky është edhe tavani i rrogave te skuadra madrilene, me të cilin për momentin paguhen Kristiano Ronaldo dhe Kaka. Për më tepër, kjo shifër është një rritje e ndjeshme në krahasim me 7 milion eurot në vit që madrilenët i ofruan lojtarit në vitin 2011, kur ai refuzoi ofertën e tyre dhe vendosi të rinovonte me Santosin.
Aktualisht, Neimar përfiton 1.6 milion euro bruto në muaj, për një total prej 19.2 milion eurosh në vit, që neto do të thotë pak më shumë se 10 milion euro në vit. Por nga këto 10 milion euro, vetëm 2 milion euro vijnë nga kontrata e tij, pasi pjesa e tjetër vijnë nga përfitimet e menaxhimit të të drejtës së imazhit. Në mënyrë që lojtari të rinovonte kontratën e tij, Santos i dha atij të drejtën e 90% të fitimeve nga shitja e imazhit.
Lojtari aktualisht ka më shumë se 10 kontrata të rëndësishme publicitare edhe pse është vetëm 21 vjeç, mes të cilave janë kompani si “Nike”, “Red Bull”, “Panasonic”, “Banco Santander” apo “Volksëagen”. Pjesa më e madhe e këtyre kontratave mbarojnë në vitin 2015 apo 2016 që do të thotë se ai do të vazhdojë të përfitojë rreth 8 milion euro në vit prej tyre sido që të jetë e ardhmja e tij.
Por nëse firmos në verë për Real Madrid, kësaj shifre i shtohen 10 milion euro rrogë, bashkë me 50% të fitimeve nga e drejta e imazhit që përfitohen nga momenti që ai i bashkohet madrilenëve.
Për më tepër, është mësuar se në pjesën më të madhe të kontratave të tij, është e parashikuar se fitimet e lojtarit do të rriten nëse ai i bashkohet Real Madrid, që do të thotë se ai mund të përfitojë rreth 10 milion euro të tjera më shumë nëse zgjedh t’i bashkohet madrilenëve në këtë verë.
Lojtari është dakord me këtë propozim që i është bërë nga madrilenët, por pengesa më e madhe mbetet kartoni i tij, pasi Santos tani kërkon 70 milion euro për ta lënë të largohet një vit para përfundimit të kontratës me klubin brazilian. Për më tepër, negociatat për uljen e çmimit nuk janë të lehta, pasi vetëm 55% e kartonit të futbollistit zotërohet nga Santos. 45% e kartonit të tij zotërohet nga grupi i investimit DIS, ndërsa 5% i përket një grupi bankash dhe investitorësh që ia blenë këtë kuotë klubit në vitin 2010, në mënyrë që të paguhej rroga e tij dhe ai të mos firmoste për Çelsin në atë periudhë. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 12:27