Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh, mendon se futbolli spanjoll do ta ndjejë mungesën e Zhoze Murinjos nëse ky i fundit largohet nga Real Madrid gjatë verës. 50 vjecari pritet t’i japë lamtumirën skuadrës së kryeqytetit, pasi tashmë nuk ka një raport të mirë me pjesën më të madhe të lojtarëve, ashtu si edhe me tifozët të cilët nuk e kanë dashur kurrë në të vërtetë për shkak të karakterit të tij polemik.
“Ne do ta ndjejmë mungesën e tij. Kampionati spanjoll do të humbë diçka për shkak të tij, pasi ai është një konkurrues i madh. Unë nuk kam luftuar kurrë me të. Polemikat tona në distancë kanë qenë vetëm për shkak se ne të dy duam të fitojmë me çdo kusht”, ishte komenti i brazilianit në mediat spanjolle.
“Ai është një nga trajnerët më ambiciozë në kampionat dhe ai e ka gjallëruar shumë futbollin këtu. Ai është një person mjaft i veçantë dhe largimi i tij në fakt do të jetë një humbje më e madhe për ju mediat sesa për ne lojtarët”, ishte batuta ironike e mbrojtësit të Barcelonës.
Më pas, Dani Alvesh i ka dedikuar fitoren e titullit kampion atyre që kanë vuajtur më shuam se të tjerët në këtë vit në radhët e skuadrës së tij.
“Një nga pikat më kulmore të sezonit ishin kur u kthye Abidal, e më pas edhe Tito. Ne kemi fituar më shumë se një trofe, kemi fituar një betejë, një betejë për jetën. Ky kampionat është për ata, ia dolëm mbanë për të gjithë atë që ata kanë vuajtur dhe kjo nuk ka asnjë lloj çmimi”. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 11:18