Paris Sent Zhërmen është shpallur kampion i Francës pas 19 vitesh, falë një suksesi ndaj Olimpik Lion me rezultatin 1-0, që i mjaftoi parisienëve për të siguruar matematikisht trofeun dy javë para fundit të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti triumfoi falë golit të Menez në pjesën e dytë, duke çuar në 7 pikë diferencën ndaj Olimpik Marsejës që e ndjek në renditje dhe duke marrë këtë trofe që ishte edhe objektivi sezonal i klubit.
Por pas ndeshjes situata nuk ka qenë aspak e qetë, duke filluar nga një zënkë në dhomat e zhveshjeve mes Ibrahimoviç dhe Leonardo ku shkak janë bërë testet antidoping. Drejtuesi i skuadrës kërkonte që suedezi të kryente sa më parë testin e pastaj të festonte, ndërsa Ibra nuk ka ngurruar t’i përgjigjet rëndë duke refuzuar, pasi preferonte që të qëndronte të festonte me shokët e tij.
Më pas, situata është komplikuar nga deklarata e Karlo Ançelotit, i cili ka bërë të ditur se dëshiron të takohet menjëherë me drejtuesit e klubit për të vendosur se si do të jetë e ardhmja e tij. Sipas mediave franceze, trajneri italian ka vendosur tashmë të shkojë te Real Madrid, ndërsa pritet vetëm konfirmimi zyrtar nga të dy palët. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 11:13