Serena Uilliams ka ruajtur hegjemoninë e saj në kreun e renditjes botërore të tenisit për femra, pasi ka fituar në turneun e Madridit për të dytin vit radhazi, duke kaluar lehtësisht rusen Maria Sharapova.
Tenistja amerikane siguroi titullin e katërt sezonal falë një loje agresive që në fillim, ku praktikisht nuk i dha kohë Sharapovës të reagonte në setin e parë, të fituar me rezultatin 6-1. Ndonëse rusja u mundua disi të kthehej në garë në setin e dytë, ajo nuk kishte fuqi të mundte Uilliams, e cila dominoi duke fituar setin e dytë 6-4 për të mbyllur këtë ndeshje pa shumë histori.
Suksesi i garantoi një shkëputje më të madhe në kreun e renditjes botërore, ndërsa regjistroi titullin e 50-të në turnetë madhorë të një karrierë shumë të suksesshme. Për më tepër, duket se amerikania ka arritur të rregullojë edhe bilancin me terrenin e kuq, ku nuk fitonte një turne prej 11 vitesh (në Madrid një vit më parë luhej në tokën blu).
Ndërkohë, Sharapova duket se do të mbetet e dyta e përjetshme tani që është kthyer Serena Uilliams, e cila e ka mundur në 12 ndeshjet e fundit radhazi dhe nuk duket se ka ndër mend të dorëzohet shumë shpejt në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 18:50