Mesfushori i Mançester Junajtid, Pol Skols, ka konfirmuar se do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur në mbylljen e këtij sezoni. 38 vjeçari u dëmtua në janar dhe nuk është paraqitur më me “djajtë e kuq” që atëherë, duke luajtur në total vetëm 14 ndeshje për skuadrën që fitoi titullin e 20-të kampion.
Por lojtari do të luajë takimin e tij të 717-të dhe të fundit sot ndaj Suonsit, duke i dhënë lamtumirën në mënyrën më të mirë të mundshme tifozëve në “Old Traford”, ashtu si trajneri Ferguson i cili i ka thurur elozhe lojtarit të cilit i kërkoi me ngulm që të kthehej në fushë një vit e gjysmë më parë.
“Pol është një lojtar i pabesueshëm. Ai ka qenë i përkushtuar plotësisht ndaj klubit dhe ka qenë një privilegj të punoj me të për kaq shumë vite. Ai do të luajë ndaj Suonsit dhe do të marrë me merite medaljen e 11-të të titullit kampion në karrierën e tij”, deklaroi Ferguson në faqen e internetit të klubit.
“Përfundimisht do të var këpucët në gozhdë”, ishte komenti i vetë mesfushorit anglez. “Ajo që kam dashur të bëj gjithmonë është të luaj futboll ndaj ka qenë një nder i jashtëzakonshëm të kem kaluar një karrierë kaq të gjatë dhe të suksesshme te Mançester Junajtid, nën drejtimin e trajnerit më të madh të të gjitha kohëve”, u shpreh ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 11:02