Antonio Konte e ka të vështirë të gjejë krahasime mes Juventusit të tij dhe skuadrave që kanë bërë emër në historinë e futbollit italian në të kaluarën. Gjithsesi, ai arrin të shohë diçka të ngjashme vetëm me një prej periudhave më të suksesshme të bardhezinjve, kur drejtoheshin nga Marçelo Lipi dhe kur vetë trajneri aktual i Juventusit luante si mesfushor në radhët e asaj skuadre.
“Kujt i ngjan skuadra ime? Asnjë prej ekipeve të mëparshme të Juventusit. Epokat e Trapatonit dhe Lipit kanë qenë të rëndësishme. Kapelo qëndroi pak, por fitoi dy tituj. Kjo skuadër mund të jetë e ngjashme me atë të Lipit përsa i përket mentalitetit, por si organizim loje nuk i ngjan askujt”, tha trajneri i cili ka zgjedhur edhe këtë vit lojtarin që i kishte bërë më shumë përshtypje në radhët e skuadrës së tij.
“Lojtari që më ka çuditur më shumë ishte Pogba, ai është rritur shumë po të mendojmë se ku filloi në këtë verë. Më ka vënë në vështirësi të mëdha”, shpjegoi Konte, i cili mendon se një titull i tretë radhazi do të ishte i jashtëzakonshëm, por shumë më i vështirë për t’u arritur.
“Do të jetë shumë e vështirë të përsëritim vetveten. Duhet shumë punë dhe të mos jemi kurrë të ngopur. Juventusi, brenda dy viteve, është kthyer në pikën e referimit në Itali, të gjithë duan ta mundin”, deklaroi trajneri i bardhezinjve pas festës për fitoren e titullit kampion. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 10:12