Mesfushori i Napolit, Marek Hamshik, një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, ka zbuluar se ka qenë shumë pranë firmës me skuadrën e Milanit në vitin 2011, pasi kuqezinjtë u shpallën kampionë në Itali. Drejtuesit e Milanit ishin pranë një akordi me mesfushorin sllovak, por ndërhyrja e presidenti De Laurentis dhe trajnerit Mazarri bënë që ai të ndryshonte mendje.
“De Laurentis dhe Mazarri më shpjeguan se ishte gabim nëse largohesha. Ne sapo kishim humbur titullin pasi u mundëm nga Torino, Sampdoria dhe Bolonja. Unë fola me presidentin dhe pastaj me Mazarrin, ndërsa të dy më shpjeguan se pse nuk dëshironin të më shitnin. Sipas tyre, unë do të bëja një gabim, nëse pranoj ofertën e Milanit. Kjo ishte një këshillë shumë e vlefshme, pasi tani jam i lumtur në Napoli. Sapo kam blerë shtëpi këtu dhe njerëzit më duan kështu siç jam”, tregoi mesfushori që është një nga figurat kryesore të kësaj skuadre.
“Mendoj se arma sekrete e skuadrës tonë është trajneri Mazarri. Nëse ne kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme në vitet e e fundit është për shkak të tij, nuk mendoj se do të largohet”, parashikoi Hamshik. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 May 2013 09:24