Zinedin Zidan po bëhet gati që me fillimin e sezonit të ri, të hyjë më aktivisht në jetën e Real Madrid dhe të bëhet pjesë e strukturave drejtuese e organizative të klubit. Ky është projekti i Florentino Perez, i cili ka pritur për dy vite francezin, derisa ky i fundit të mbaronte kursin për Menaxher të Përgjithshëm të Shoqërive Sportive, të zhvilluar në Limozh dhe Paris.
Zizu merr pas dy javësh diplomën, sipas të cilës ai ka studiuar në mënyrë të zgjeruar menaxhimin e klubeve sportive, i specializuar në ekonominë e sportit profesionist, marketing dhe komunikacion. Me pak fjalë, ai do të bëhet menaxher i përgjithshëm i klubit madrilen, një lloj figure që kalon edhe autoritetin që mbante pak vite më parë Valdano, pasi do të jetë ai që do të ndërhyjë në negociata për të afruar lojtarët e rinj.
Francezi është një nga personat më të besuar të Florentino Perez, i cili i kërkon atij vazhdimisht mendime rreth merkatos dhe paraqitjes së futbollistëve të veçantë. Ndonëse Murinjo ka marrë të gjitha meritat për aktivizimin e Varane, ishte pikërisht insistimi i Zidan për të afruar të riun e talentuar francez që bëri të mundur transferimin e tij në radhët e madrilenëve dhe kalimin nga skuadra e rezervave te ekipi i parë.
Ndaj Florentino Perez beson se po i lëshon në dorë skuadrën një personi mëse të përgjegjshëm, një figure të dashur publike, i cili do të bëjë që të kalojnë në plan të dyte polemikat e lindura që nga momenti kur në klub ka shkelur Zhoze Murinjo, sido që të shkojë situata me këtë të fundit. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 19:43