Televizioni spanjoll “Cuatro” ka publikuar dje pamje që pritet të krijojnë polemika të rënda në radhët e Real Madrid. Në këto pamje filmike nga ndeshja e mesjavës së madrilenëve kundër Malagas, shihet Kristiano Ronaldo që lëshon një fyerje të rëndë në adresë në pankinës së Realit, ndërsa mendohet se objektiv i sharjes ishte Zhoze Murinjo.
Pas shënimit të golit të rezultatit të përkohshëm 2-1 për Realin, Ronaldo festoi fillimisht duke thirrur “Unë këtu, unë këtu”, që u interpretua si një sinjal i qartë se ai preferonte të fliste në fushën e lojës. Por televizioni spanjoll ka publikuar pamje ku portugezi më pas lëshon një të sharë të rëndë drejt pankinës së skuadrës së tij, duke e komentuar këtë si një qëndrim ndaj Zhoze Murinjos.
Mediat spanjolle aludojnë se kjo është mënyra se si futbollisti ka reaguar ndaj kritikave që ka marrë nga trajneri portugez, i cili e ka akuzuar atë si shkaktarin kryesor të humbjes së titullit kampion në këtë sezon. “Në tre muajt e parë të kampionatit, nuk ishte i lumtur këtu, ndërsa tani po. Ndaj po ecim mirë”, ishin fjalët e thëna nga Murinjo pak ditë më parë, duke deklaruar praktikisht se gabimet e Realit në muajt e parë të sezonit ishin të gjitha “merita” të lojtarit që nuk e kishte pasur shumë mendjen te klubi dhe ajo që po ndodhte aty.
Fakti që Reali ka anuluar konferencat për shtyp, ka shtuar spekulimet për këtë hipotezë, ndërsa mendohet se Murinjo do të lërë në pankinë futbollistin në ndeshjet e kampionatit, për ta përdorur vetëm në ndeshjen e Kupës së Mbretit, i sigurt se tani ka humbur edhe besimin e futbollistit të tij të preferuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 09:13