David Mojes do të kërkojë nga Mançester Junajtid që të blejë nga Evertoni Leiton Beins dhe Marouan Fellainin. Trajneri që do të zërë vendin e Aleks Ferguson me 1 korrik ka caktuar që tani dy prioritetet e tij për merkaton, duke qenë i gatshëm që të marrë mbrojtësin për 15 milion paund, ndërsa shpreson t’i jepet mundësia të paguajë edhe 24 milion paund që është klauzola e largimit të mesfushorit belg.
28 vjeçari Beins ka qenë prej kohësh një objektiv i merkatos së kampionëve të Anglisë, por “djajtë e kuq” nuk kanë hyrë asnjëherë zyrtarisht në bisedime për blerjen e tij. Tani, me transferimin e Mojes, edhe mbrojtësi pritet të ndjekë pas trajnerin falë të cilit shpërtheu në futbollin anglez dhe u bë një lojtar formacioni në kombëtaren angleze. Vetë drejtuesit e Evertonit pak kohë më parë deklaruan se nëse për mbrojtësin e majtë do të vinte një ofertë e rëndësishme nga klubet e mëdha angleze, ata nuk do të pengonin largimin e tij, për sa kohë që edhe oferta ekonomike ishte e kënaqshme.
Përsa i përket Fellaini, Mojes duhet të luftojë në këtë rast ndaj shumë klubeve të tjera dhe të shpresojë që vetë lojtari belg dëshiron të vazhdojë të punojë nën drejtimin e tij. Shkak është interesimi i jashtëzakonshëm për 25 vjeçarin që luan si një mesfushor ofensiv dhe ka treguar se njeh mjaft mirë jo vetëm si të organizojë lojën, por edhe si të shënojë gola. Klauzola e tij e largimit prej 24 milion paund është një shumë që mund të paguhet nga klubet e mëdha angleze, ndërsa gjatë gjithë këtij sezoni është folur se Mançester Siti dhe Çelsi do të bëjnë gati ofertën për Evertonin dhe vetë futbollistin belg, listë të cilës tashmë i është shtuar edhe Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 09:04