Real Madrid ka anuluar të gjitha konferencat për shtyp të planifikuara për ditën e premte, në mënyrë që të qetësonte disi situatën e nxehtë të krijuar gjatë ditëve të fundit në klub.
Pas konferencës bombastike të Murinjos të martën, ku ai nuk kurseu kritikat ndaj lojtarëve të tij, sidomos Pepe e Kasijas, klubi po mundohet që të paktën të ruajë imazhin nga deklarata të tjera të dëmshme, që nuk do t’i shërbenin skuadrës pak ditë para finales së Kupës së Mbretit, ku mund të fitojë trofeun e vetëm sezonal.
Kjo nuk është hera e parë që klubi spanjoll anulon konferencat për shtyp, duke vendosur heshtje për shtypin, pasi ka ndodhur edhe në vitin e parë të drejtimit të Murinjos, kur ishte ai që vendosi që 2 herë të mos dilte para shtypit, duke ndaluar edhe lojtarët ta bënin një gjë të tillë.
Megjithatë, shtypi sportiv spanjoll e ka interpretuar këtë si një tjetër shenjë krisje mes Realit dhe trajnerit portugez, pasi duket qartë që klubi ka vendosur t’i mbyllë gojën atij të paktën deri në fund të sezonit. Mediat spanjolle janë të bindura se anulimi i konferencave për shtyp të stafit e lojtarëve para ndeshjes me Espanjol janë sinjali i qartë i radhës se Murinjo do t’i japë lamtumirën Realit në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 09:03