Mançester Junajtid zyrtarizoi sot nënshkrimin e kontratës me David Mojes, duke konfirmuar se trajneri skocez do të jetë pasardhësi i Sër Aleks Ferguson në stolin e kësaj skuadre. Konfirmimi i Mojes pritej gjatë gjithë ditës së sotme, pasi u konfirmua fillimisht nga skuadra e Evertonit që ai kishte kërkuar të largohej drejt Mançester Junajtid, ndërsa edhe vetë “djajtë e kuq” bënë prova gjatë ditës me një parullë të vendosur në faqen e Facebook ku i kërkonin tifozëve të shkruanin mesazhe mirëseardhje për trajnerin e ri.
“Është një nder i madh që më është kërkuar të jem trajneri i ardhshëm i Mançester Junajtid. Jam i lumtur që Sër Aleks e pa të arsyeshme të më rekomandonte mua për këtë vend pune, kam respekt të madh për gjithçka që ka bërë dhe për këtë klub futbolli”, deklaroi Mojes që ka nënshkruar një kontratë 6-vjeçare me skuadrën e re.
“E di se sa e vështirë do të jetë të jem pasardhës i trajnerit më të mirë të të gjitha kohëve, por mundësia për të drejtuar Mançester Junajtid nuk të vjen shpesh dhe po pres me padurim detyrën e re në sezonin e ardhshëm”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Aleks Ferguson bëri të qartë se ishte prej kohësh një admirues i Mojes dhe i kishte kërkuar në vitin 1998 që të bëhej asistenti i tij.
“Kur diskutuam kandidatët që mendonim se kishin aftësitë e duhura për këtë detyrë, unanimisht vendosëm për David Mojes. David është një njeri me integritet dhe me etikë të lartë pune. E kam admiruar punën e tij për një kohë të gjatë dhe e kam kërkuar që në vitin 1998 që të vinte si asistent këtu. Ai ka padyshim të gjitha cilësitë që priten nga një trajner në klubin tonë”, ishin lëvdatat e Sër Aleks për pasardhësin e tij në drejtimin e Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 21:10