Kompania e basteve sportive, “Paddy Power”, vazhdon të tërheqë vëmendjen nëpërmjet reklamave që vendos, me raste duke prekur edhe tema shumë të ndjeshme. Këtë radhë, kompania irlandeze ka vendosur një tabelë të madhe në qytetin e Liverpul, në një ekran gjigand pranë stacionin të trenit, duke aluduar se një sezon mesatar i skuadrës së drejtuar nga Brendan Roxhers, në fakt kishte qenë i shkëlqyer.
Sipas saj, arsyeja e parë ishte vdekja e Margaret Theçer, e cila urrehet nga tifozët vendas për shkak se në periudhën e drejtimit të saj, shteti u mundua të fshihte përgjegjësinë e policisë për tragjeditë në Heisel dhe Hillsborou. Ndërsa arsyeja e dytë ishte largimi i Aleks Ferguson nga drejtimi i Mançester Junajtid, rivalëve historikë të Liverpulit.
Në reklamën gjigande, shkruhet se një person nga Liverpuli ka gjetur llambën magjike dhe i ka mbetur vetëm një dëshirë nga tre të mundshmet, pasi i ka shpenzuar dy të parat me vdekjen e Theçer dhe lamtumirën e Ferguson. Duke vendosur koeficientin 25 që ka Liverpuli për të fituar titullin kampion në sezonin e ardhshëm në Angli, kompania aludon se fansat e skuadrës mund të fitojnë shumë nëse vënë bast duke shfrytëzuar dëshirën e tretë që ka mbetur. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 17:56