Ksavi Alonso ka përgënjeshtruar të gjitha zërat që janë përhapur kohët e fundit se ai do t’i jepte lamtumirën Real Madrid sapo të mbyllej ky sezon. Lojtari i kombëtares spanjolle është përfolur se mund të transferohet te Çelsi gjatë verës, sidomos nëse Zhoze Murinjo do të marrë drejtimin e klubit londinez.
Por 31 vjeçari ka bërë të qartë se do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” për të paktën edhe një sezon.
“Padyshim që do të jem këtu në sezonin e ardhshëm”, ishte komenti i prerë i futbollistit pas fitores së djeshme të skuadrës së tij kundër Malagas me rezultatin 6-2.
Më pas, ai i ka bërë thirrje skuadrës të qëndrojë e bashkuar në këtë moment të sezonit kur klubi po mundohet të shkojë në një formë sa më të mirë drejt finales së Kupës së Mbretit, trofeu i vetëm që mund të fitojë në këtë sezon.
“Është shumë e rëndësishme të ruajmë ndjesinë e mirë të lojës pasi kemi një ndeshje të rëndësishme në javën e ardhshme. Ndaj këtë ndeshje kundër Malagas e përgatitëm me të njëjtin seriozitet si gjithmonë dhe me dëshirën për të bërë sa më mirë”.
“Jemi të përgatitur psikologjikisht për finalen e Kupës së Mbretit, që do të jetë një ndeshje e vështirë. Ky është një objektiv i qartë që duhet të arrijmë këtë vit dhe asgjë tjetër nuk duhet të në shpërqendrojë. Të gjithë duhet të ecim në të njëjtin drejtim”, deklaroi Alonso, duke iu referuar polemikave që kanë pushtuar kohët e fundit klubin madrilen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 17:48