Neimar është kthyer tani në objektivin më të rëndësishëm të merkatos së Real Madrid, që ka dërguar përfaqësues në Brazil për të diskutuar transferimin e sulmuesit.
Duket se futbollisti brazilian do të jetë premtimi i radhës i fushatës elektorale të Florentino Perez që rikandidon si president i klubit e për këtë arsye, ai do të marrë një “po” nga futbollisti sa më parë, për të treguar edhe një herë forcën e tij dhe se si i ka “vjedhur” Barcelonës një objektiv të merkatos.
Ideja e madrilenëve është të bindin Santos që të vendosë një çmim të lartë për futbollistin, në mënyrë që Barcelona të tërhiqet nga blerja e tij edhe pse mendohet se ka nënshkruar një parakontratë me lojtarin. Në këtë mënyrë, Reali do të jetë i lirë të negociojë blerjen e tij që në fund të këtij sezoni dhe jo në atë pasardhës, kur Neimar do të largohet me parametër zero nga klubi brazilian.
Për të blerë lojtarin brazilian, Real Madrid do të shfrytëzojë të ardhurat nga shitja e disa lojtarëve gjatë verës, ku në repartin e sulmit do të largohet Higuain dhe mundësisht Di Maria, pa harruar se tashmë Kristiano Ronaldo kërkohet me ngulm nga Mançester Junajtid e Paris Sent Zhërmen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 09:22