Serxho Buskets mendon se është absurde që në këtë moment të flitet për dështim të Barcelonës, një skuadër e cila po përgatitet të festojë titullin e 4-t në 5 vitet e fundit. Sipas tij, po bëhet një anti-reklamë ndaj skuadrës, edhe pse kampionati spanjoll vazhdon të jetë një turne shumë i rëndësishëm.
“Kampionati është turneu më i rëndësishëm për ne, do të jetë i 4-ti në 5 vite, diçka spektakolare. Këtë titull të radhës do ta festojmë me njerëzit në rrugë, në fushë e ku të jetë e mundur. Ky titull është shumë i mirë dhe do ta kujtojmë gjithmonë”.
“Mendoj se të gjithë katalanasit janë krenarë për këtë ekip dhe shpresojnë që të fitojmë sa më parë këtë titull. Tifozi i Barçës do t’i japë këtij titulli vlerën që meriton. Pastaj të mos harrojmë se ka më shumë rëndësi për shkak të problemeve e momenteve negative që kemi kaluar. Fakti që Tito dhe Abidal janë përsëri mirë, bën që gëzimi të jetë i dyfishtë”, shpjegoi mesfushori i cili në fund nuk ka rezistuar pa lëshuar një thumbim në adresë të Murinjos.
“Nuk e dija që Murinjo është i vetmi që mund të flasë për gjithçka”, tha ai, duke iu referuar kritikave të portugezit ndaj Iniestas për mbrojtjen që mesfushori i katalanasve i bëri Iker Kasijas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 18:30