Atletiko Madrid ka filluar të bëjë hapat e parë për të siguruar sulmuesin e Liverpulit, Luis Suarez, pasi mendojnë se uruguaiani do të ishte zëvendësuesi perfekt për Radamel Falkaon. Ky i fundit pritet të transferohet te Çelsi në verë, ndaj spanjollët duan një lojtar po aq cilësor në repartin e avancuar.
Suarez ka kaluar dy sezone mjaft problematike te Liverpuli për shkak të sjelljes së tij, fillimisht përsa i përket debatit për abuzim racor ndaj Patris Evra, e më pas për kafshimin që i dha Branislav Ivanoviç pak javë më parë në ndeshjen kundër Çelsit. Fakti që ai ka një reputacion shumë të keq në Angli, ka bërë që uruguaiani të mendojë seriozisht largimin, me Spanjën që do të ishte një destinacion i preferuar për të.
Atletiko mendon se ka aftësinë të blejë lojtarin nga Liverpuli, falë parave që do të sigurojë nga shitja e Falkaos, rreth 60 milion euro. Me këto para do të përballohet edhe rroga e tij, që gjithsesi mbetet më e ulët se ajo që përfiton aktualisht kolumbiani.
Për të bindur futbollistin, Atletiko ka angazhuar dy futbollistë që e njohin mirë atë, bashkëkombësit e tij Diego Godin dhe Kristian Rodriguez, dy nga miqtë e tij të ngushtë në përfaqësuese.
Plani në fjalë duket se nuk shqetëson aq shumë ekipin e Liverpulit, pasi drejtuesit e klubit janë të ndërgjegjshëm se sjellja e lojtarit ka dëmtuar rëndë imazhin e “të kuqve” dhe se me paratë e siguruara nga shitja e tij, rreth 40 milion euro, do të arrijnë të gjejnë një zëvendësues po aq cilësor për repartin e avancuar. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 11:50