Rafael Benitez ka bërë të qartë se mendon që pasardhësi i tij në stolin e Çelsit do të jetë Zhoze Murinjo. Spanjolli ka konfirmuar edhe një herë se do të largohet nga drejtimi i klubit gjatë verës, kur të përfundojë edhe detyra e tij si trajner i përkohshëm, ndërsa pret që menjëherë në stolin e skuadrës të ulet portugezi, një nga rivalët e tij më të ashpër.
“Vitin tjetër në drejtimin e skuadrës do të jetë një tjetër trajner dhe mendoj se të gjithë e dinë se për kë bëhet fjalë”, ishte komenti i Benitez rreth kësaj teme, duke bërë të qartë se emri i Murinjos ishte më shumë se thjesht spekulim.
Ndonëse portugezi është një nder trajnerët që ai urren më shumë, Benitez mund t’i bëjë një nder të madh Murinjos duke i siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm nëse fiton ndaj Totenhemit në takimin e nesërm në kampionat.
“Në këtë pikë mund të them se një ndeshje e tillë do të jetë thelbësore pasi në rast fitoreje, do të kemi të garantuar një vend mes katër skuadrave të para. Ka shumë ndeshje të rëndësishme, por kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha”, deklaroi tekniku spanjoll. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 17:59