Sulmuesi i Arsenalit, Olivier Zhirud, beson se debutimi i tij në kampionatin anglez ka qenë më i mirë se ai i Tierri Henri apo Didier Drogba. Zhirud ka shënuar 17 gola në të gjitha aktivitetet për skuadrën e Arsen Venger në këtë sezon, duke kaluar shifrën e 16 golave të realizuar nga Drogba në vitin e tij të parë te Çelsi, ndonëse nuk ka arritur t’i afrohet shifrës së 26 golave të Henri në vitin e tij të parë.
Ndonëse ka pranuar se zëvendësimi i Van Persit ka qenë mjaft i vështirë, Zhirud mendon se nuk meriton kritika pasi statistikat e tij janë mëse të mira.
“Unë kam zëvendësuar Van Persin dhe kur arrin në një klub të madh si ky, ka shumë kërkesë ndaj teje. Kritikat nuk kanë qenë gjithmonë të merituara, por ata mund të të shtyjnë të bësh më mirë”.
“17 gola dhe 11 pasime për gol, kjo është më mirë se paraqitja e Henri dhe Drogba në sezonet e tyre të para në Angli. Kjo është cilësia që kam treguar unë. Unë jam përmirësuar dhe dua të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë”, tha Zhirud për mediat franceze.
Sulmuesi ka zbuluar se pas sezonit të shkëlqyer me Monpelje një vit më parë, ai ishte shumë pranë transferimit te Bajern Mynih, por më pas bavarezët zgjodhën kroatin Mario Manxhukiç.
“Menaxheri im foli me ata dhe drejtuesit te Bajerni dhanë miratimin për transferimin tim. Por ata deshën të pritmin deri pas Evropianit, ku Manxhukiç zhvilloi një kampionat të shkëlqyer. Megjithatë, mendoj se ishte diçka pozitive që u ndoqa nga Bajerni. PSZH? Ata janë një skuadër tërheqëse por unë jam mirë këtu”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 17:57