Trajneri i Paris Sent Zhërmen, Karlo Ançeloti, ka insistuar se Zlatan Ibrahimoviç do të qëndrojë në radhët e kësaj skuadre edhe pas përfundimit të sezonit. Suedezi ka shënuar 32 gola në 43 ndeshje me ekipin parisien, duke u bërë forca kryesore ofensive e skuadrës që po ecën drejt titullit kampion. Por shpesh në media është përfolur se ai është mërzitur në Francë dhe kërkon një sfidë më të rëndësishme sesa kampionati francez.
“Shumë skuadra do të dëshironin të kishin Zlatan, por është një fat i madh për PSZH që ai luan këtu dhe po bën një punë të shkëlqyer”, tha Ançeloti për “Sky Sport 24”. “Ai do të vazhdojë të jetë pjesë e PSZH edhe në sezonin e ardhshëm, ashtu si edhe Marko Verrati”.
Skuadra parisiene ka 7 pikë avantazh ndaj Olimpik Marsejës së vendit të dytë, ndërsa një fitore në fundjavë mund t’i garantojë titullin kampion. Por ngjarjet e fundjavës në takimin kundër Valensien, ku Tiago Silva mori karton të kuq pasi shtyu gjyqtarin ndërsa drejtuesi Leonardo shty po gjyqtarin pas përfundimit të ndeshjes, ka bërë që të nisin spekulime për penalizim me pikë të parisienëve që mund të detyrohen të luftojnë deri në javën e fundit për titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 17:48