Antonio Konte nuk është fshehur, duke i vënë objektiv vetes dhe Juventusit fitoren në Ligën e Kampioneve. Pasi duket qartë se bardhezinjtë kanë vendosur përkohësisht hegjemoninë në Itali dhe do të jenë pretendentë për titull edhe për shumë vite në vazhdim, trajneri ka kthyer sytë nga turneu i rëndësishëm evropian, edhe pse e di mirë se për ta fituar atë duhet punë dhe kohë.
“Juventusit nuk i mjaftojnë dy blerje për të fituar Ligën e Kampioneve, do të ishim mendjemëdhenj po ta besonim këtë. Shembulli që duhet ndjekur është Bajern Mynih”, ka shpjeguar trajneri, si koment për pyetjen nëse me Ibrahimoviç dhe Higuain, skuadra e tij do të bënte hapin cilësor në Evropë.
“Bajerni kishte një projekt serioz, të filluar 6 vite më parë me Van Gal, që kaloi edhe mes humbjeve djegëse që rritën egërsinë e lojtarëve. Në bazën e çdo suksesi ekziston organizmi i lojës, një klub i gatshëm të ndjekë një rrugë të caktuar me investime serioze dhe me shumë kujdes ndaj akademisë. Vetëm kështu mund të bëhet kthesa”, tregoi Konte i cili me sa duket ka mbetur i mahnitur nga bavarezët që i dhanë leksion futbolli Juventusit të tij para se të bënin të njëjtën gjë me Barcelonën.
“Dëgjova Roben që tha se kjo ishte një fitore skuadre. Ai është një talent i jashtëzakonshëm, e ka kuptuar si funksionon, ashtu si Riberi. Të dy u vunë plotësisht në funksion të skuadrës”, deklaroi trajneri i Juventusit duke treguar se te ekipi i tij nuk do të kishte vend për individualitete të spikatura por vetëm për futbollistë që pranonin rolin e tyre brenda një grupi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 15:54