Marçelo Lipi beson se tifozët e Juventusit kanë të drejtë të besojnë se tani skuadra e tyre ka 31 tituj kampion në Serinë A, të fundit nga të cilët e festuan në këtë fundjavë. Polemikat rreth titujve kanë të bëjnë me faktin se skuadrës iu hoqën trofetë e fituar në vitin 2005 dhe 2006, pas procesit “Calciopoli”, ku një nga vendimet ishte edhe zbritja një kategori më poshtë e bardhezinjve.
“Me të drejtë, Juventusi dhe tifozët e tij mendojnë se janë 31 titujt kampionë të fituar në fushë. Nëse dikush e pa të arsyeshme t’ia hiqte dy tituj, kjo është çështje tjetër, por të gjithë njerëzit te Juventusi e dinë se ata i kanë fituar këto trofe në fushën e lojës”, ishte deklarata e Lipit, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e këtij klubi.
Trajneri i cili më pas ka drejtuar edhe kombëtaren italiane, duke i dhënë asaj titullin Kampion Bote në vitin 2006, ka folur për pasardhësin e tij në drejtimin e përfaqësueses, Çezare Prandeli.
“Shoh tani se Italia po paraqitet shumë mirë. Prandeli ka bërë një rinovim gradual, por shumë të qartë e të rëndësishëm. Pas Botërorit në Afrikën e Jugut, një rinovim duhej bërë pavarësisht rezultatit, ndërsa Çezare e kreu atë në mënyrën më pozitive të mundshme. Skuadra që ka krijuar në dy vitet e fundit më ka kujtuar shpesh atë kombëtare që drejtova unë. Por duhet të pranoj se përgjigje shumë të mira tani po vijën edhe nga kombëtaret e moshave”, tha Lipi, i cili në eksperiencën e tij të dytë si trajner i Italisë në Botërorin 2010 dështoi plotësisht, duke u eliminuar që në grup. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 10:37