Burak Jilmaz duket se po bëhet gati të refuzojë ofertat e shumta që i kanë ardhur nga klube të njohura në Evropë, duke preferuar të qëndrojë te Gallatasaraj. Lojtari turk ka shënuar 22 gola në kampionat dhe 8 në Ligën e Kampioneve, duke u bërë një nga futbollistët më interesantë të skuadrës së Stambollit.
“Unë jam shumë i lumtur te Gallatasaraj. Këtu kam një kontratë pesëvjeçare dhe mund të them se nëse vjen një ofertë, vendimi do të jetë krejtësisht në dorën e klubit”, shpjegoi ai për “Lig TV”.
Ndonëse në radhët e Gallatasarajit tashmë luajnë disa nga futbollistët më të mirë të viteve të fundit në Evropë, si Uesli Shnajder dhe Didier Drogba, Jilmaz ka vlerësuar më shumë se të gjithë bashkëkombësin e tij, Umut Bulut.
“Didier Drogba mund të luajë lehtësisht me mua në sulm apo me Umut Bulut. Ne thjesht kompletojmë njëri-tjetrin. Ai është një lojtar i shkëlqyer por duhet të vëmë re të gjithë kontributin që ka dhënë Umut Bulut. Ai na mbajti në kreun e klasifikimit në pjesën e parë të sezonit. Drogba është i shkëlqyer, por Bulut kishte një influencë të jashtëzakonshme”, shpjegoi sulmuesi i skuadrës që fitoi titullin kampion në Turqi gjatë fundjavës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 10:36