Menaxheri i përgjithshëm i Bajern Leverkusen, Volfgang Holzhauser, mendon se Andre Shurle me shumë mundësi ka firmosur një parakontratë me Çelsin, për të luajtur në vitin e ardhshëm me skuadrën angleze. Interesimi i klubit londinez për 22 vjeçarin gjerman dihet prej kohësh, ndaj të gjithë janë në pritje të një oferte për futbollistin që ka një kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2016.
“Me shumë mundësi, Shurle ka firmosur një parakontratë me Çelsin”, tha Holzhauser për mediat sportive gjermane. “Por gjithçka do të varet nga fakti nëse ne do të pranojmë ta lëmë të largohet. Kemi marrë një ofertë me një çmim të cilin aktualisht po e shqyrtojmë. Por vetëm çmimi nuk do të jetë përcaktues për vendimin tonë. Ne duhet të gjejmë edhe alternativa, të cilat për momentin nuk i kemi”.
Gjithçka duket se ka lidhje me mesfushorin Kevin De Bruyn, i cili është nën kontratë me Çelsin, ndërsa ka qenë i huazuar te Verder Bremen në këtë sezon. Leverkusen është gati të përfshijë në ofertë huazimin apo blerjen e belgut, por vetë futbollisti dëshiron të shkojë te Borusia Dortmund.
“Me sa duket ekziston një ofertë nga Dortmundi që është gati ta blejë lojtarin për një çmim të lartë. Por informacionet tona na tregojnë se Çelsi dëshiron vetëm ta japë në huazim, jo ta shesë”, deklaroi drejtuesi i Leverkusen, duke shpjeguar se pse kjo çështje është komplikuar kaq shumë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 10:34