Uilfrid Zaha që nga viti i ardhshëm pritet të bëhet një nga emrat më të njohur të futbollit botëror, pasi do të debutojë me skuadrën e Mançester Junajtid, e cila e bleu për 15 milion paund nga Kristal Palas. Por imazhi i tij ka pësuar një goditje të rëndë, pasi është mësuar se vëllai i 20 vjeçarit është një nga “gjeneralët” e një bande kriminelësh në Londër.
Sipas vetë 24 vjeçarit Herve, i burgosur me disa muaj për ushtrim dhune në vitin 2012, ai është një nga drejtuesit e bandës “DSN” që vepron në jugun e Londrës, një bandë që mendohet se është përgjegjëse për shumë therje, shkëmbim zjarri, dhune, kërcënime dhe vjedhje në këtë pjesë të kryeqytetit anglez që nga viti 2007.
Sipas “Daily Mirror”, në kundërshtim nga Herve, 20 vjeçari Uilfrid ka mundur të qëndrojë larg dhunës duke u përqendruar plotësisht te sporti dhe aftësitë atletike që e kanë kthyer atë në një nga talentet më premtues në qarkullim. I rritur pikërisht në pjesën jugore të Londrës, ai duket se ka qenë fëmija më i rregullt i familjes, duke zbatuar me përpikëri deri dy vite më parë edhe orën 6 të pasdites që babai i tij kishte vënë si afat të fundit për të qëndruar jashtë shtëpisë, në mënyrë që të evitohej kontakti i tij me bandat e zonës.
Futbollisti 20 vjeçar ka firmosur një kontratë prej 5 vitesh e gjysmë me Mançester Junajtid, ndërsa nga korriku do të përfitojë një rrogë prej 35 mijë paund në javë. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 May 2013 19:49