Zhoze Murinjo mbetet gjithnjë e më shumë i vetëm te Real Madrid, pasi tani ka filluar të braktiset edhe nga lojtarët e tij më të besuar. Sinjali i radhës ka ardhur nga mbrojtësi portugez Pepe, i cili ka kritikuar publikisht trajnerin për fjalët që ky i fundit ka thënë në adresë të Iker Kasijas.
Një ditë më parë, Murinjo kishte thënë duke iu referuar portierit se ai nuk kishte probleme me futbollistët “me përjashtim të atij që mendon se qëndron mbi të tjerët”. Këto komente nuk i kanë pëlqyer as Pepe.
“Duhet shfaqur pak më shumë respekt, jemi të gjithë lojtarë që duam më të mirën për klubin. E rëndësishme është që të punojmë të gjithë për tifozët, për cilindo prej tyre. Kur të vijë finalja e Kupës, të jemi të përgatitur. Sipas këndvështrimit tim, fjalët e trajnerit nuk kanë qenë më të përshtatshmet. Iker është pjesë e Madridit ashtu si edhe e Spanjës, ndaj duhet të jemi të qetë dhe tregojmë se të gjithë lojtarët dhe tifozët jemi përkrah tij”, tha Pepe.
“Iker është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe kemi një titull të rëndësishëm para. Nuk duhet të nënvlerësojmë asgjë dhe duhet të respektojmë Iker që na ka dhënë shumë. Atij duhet t’i jemi mirënjohës pasi e ka të nevojshme. Është një simbol dhe është kapiteni. E ardhmja e trajnerit? Ne jemi të qetë, pasi ai situatën duhet ta zgjidhë me klubin. Ne duhet që të nderojmë fanellën”, tha lojtari. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 May 2013 11:27