Aleks Ferguson ka ringjallur debatin e tij të vjetër me Rafael Benitez, duke sugjeruar se trajneri i Çelsit ka më tepër për zemër suksesin personal se atë të skuadrës së tij. Dy trajnerët vihen përballë njëri-tjetrit në fundjavë, me londinezët që do të mundohen të marrin tre pikë të rëndësishme në luftën për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Por Ferguson mendon se Benitez, e sheh këtë si një mënyrë për të rritur perspektivat e karrierës së tij dhe jo për të ndihmuar Çelsin të ecë një hap para.
“Për të qenë të drejtë me të, ai ka bërë një punë të mirë në javët e fundit, por ai shqetësohet shumë për CV-në e tij. Ai i referohet asaj shumë shpesh”, deklaroi Ferguson.
“Çelsi është paraqitur shumë mirë në javët e fundit. Mendoj se tani u bënë shtatë ndeshje radhazi që fitojnë dhe kanë arritur në finalen e Europa League. Largimi i Di Mateos i la me pasoja dhe vetëm në javët e fundit arritën të gjenin përsëri pak qëndrueshmëri. Ata na larguan nga Kupa FA dhe janë paraqitur mirë në Evropë, por është e qartë se dy ndeshjet e radhës janë më të rëndësishmet për ta”, shpjegoi trajneri skocez, duke iu referuar tentativave të londinezëve për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ku pas takimit ndaj Mançester Junajtid, do të luajnë kundër Totenhemit, një rivali direkt. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 May 2013 19:31