Andre Vijas Boas është i bindur se Garet Beil do të vazhdojë të jetë një futbollist i Totenhemit edhe në sezonin e ardhshëm, duke insistuar se qëndrimi i klubit nuk do të ndryshojë edhe nëse vjen një ofertë prej 60 milion paund.
Lojtari ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë sezon, duke ngjitur skuadrën mes katër më të mirave në Angli me golat e tij, për të zgjuar interes sidomos nga Bajern Mynih dhe Real Madrid, që janë gati të shpenzojnë shifra të çmendura për të.
“Çfarëdo çmimi që t’i vihet këtij futbollistit, për ne nuk përbën asnjë ndryshim, pasi ai është një lojtar i yni, një lojtar që do të mundohemi në të gjitha mënyrat të mbajmë, që të sigurohemi se do të arrijmë objektivat dhe do të përmirësohemi në sezonet në vazhdim”.
“Informacioni që kam unë nga klubi thotë se ky lojtar do të qëndrojë këtu, pavarësisht faktit nëse ne kualifikohemi në Ligën e Kampioneve apo jo. Klubi ecën përpara duke mbajtur lojtarët më të mirë dhe Beil do të jetë edhe më vendimtar në vitet e ardhshme falë eksperiencës që iu shtua nga ky sezon”, deklaroi Vijas Boas.
“Unë kam pasur privilegjin të punoj me 2-3 lojtarë të mëdhenj gjatë karrierës time dhe Garet i bashkohet atyre që cilësohen më të mirët”, ishin fjalët e Vijas Boas i cili për shumë vite ka qenë ndihmësi i Murinjos te Çelsi e te Interi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 17:37