Tifozët e PSZH i kanë drejtuar një letër të hapur trajnerit Karlo Ançeloti, për ta bindur italianin të mos largohet nga klubi francez në fund të këtij sezoni. Ançeloti ka qëndruar në kryeqytetin francez për më pak se dy vite, por ka arritur menjëherë të drejtojë klubin drejt një titulli kampion që i mungon prej 19 vitesh.
Tani Ançeloti mendohet se do të largohet drejt Real Madrid, ndërsa në skuadrën franceze mund të vijë një mes Rafael Benitez e Arsen Venger. Por një grup i organizuar tifozësh i ka drejtuar këtë letër trajnerit italian, për ta bindur të ndërrojë mendje dhe të qëndrojë në Paris, duke e botuar atë në gazetën “L’ Equipe”.
“Jemi të bindur se viti i ardhshëm mund të jetë historik për PSZH, por për ta bërë një gjë të tillë duhet që ju të qëndroni dhe të vazhdoni atë që keni bërë në një vit e gjysmë. Askush nuk i di më i mirë se ju bazat që janë hedhur në këtë skuadër. Për këto arsye, ne shpresojmë që ju të vazhdoni aventurën tuaj te PSZH edhe në vitin e ardhshëm”, ishte mesazhi që tifozët kishin për trajnerin e PSZH, i cili jo vetëm ktheu skuadrën në kreun e klasifikimit në kampionatin francez, por edhe arriti ta kualifikonte atë në çerekfinalet e ligës së Kampioneve, ku u eliminua falë rregullit të golit jashtë fushe nga Barcelona. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 17:37