Luis Suarez ka bërë të qartë se tashmë është vënë plotësisht nën urdhrat e gruas së tij, Sofia, e cila po e ndihmon që të përmirësojë imazhin negativ që ka krijuar në fushën e lojës me sjelljet e tij të çuditshme. Futbollisti i Liverpulit aktualisht po vuan dënimin e dytë afatgjatë që nga momenti kur ka shkelur në Angli, këtë radhë pasi u pezullua për 10 ndeshje pasi kafshoi Branislav Ivanoviç gjatë ndeshjes kundër Çelsit.
“Gruaja ime ka filluar të bëjë vërejtje të tipit ‘po ziheshe shumë më gjyqtarët dhe me mbrojtësit kundërshtarë, ndaj nuk dukeshe në gjendje të luaje, nuk do të shihej ndryshimi edhe nëse nuk do të ishe në fushën e lojës’”, ka treguar Suarez në një intervistë të dhënë për revistën e klubit.
“Unë mendohem dhe e kuptoj se ka të drejtë. Njerëzit mund të mendojnë se kështu sillem edhe jashtë fushës së lojës, ndonëse unë jam një tip i qetë. Është gjë e mirë kur ke gruan që ndjek futbollin. Ajo më njeh më mirë se çdokush tjetër dhe unë dua që këto vëzhgime të më ndihmojnë të luaj më mirë dhe të jem një person më i lumtur”, ishin fjalët e sulmuesit uruguaian të Liverpulit.
Sipas mediave angleze, përveç “kontrollit të rreptë bashkëshortor”, Suarez do t’i nënshtrohet edhe terapisë te një psikolog sportiv, në mënyrë që ta ndihmojë për të kontrolluar shpërthimet e tij absurde. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 17:34