Skuadra e Levantes do të hetohet për aludimet se ka manipuluar rezultatin e ndeshjes të humbur me rezultatin 4-0 ndaj Deportivo La Korunjas. Skuadra e mesit të tabelës së klasifikimit në Spanjë kapitulloi plotësisht në fushën e vet përballë një skuadre që lufton për mbijetesë, me mesfushorin Havi Barkero që akuzoi publikisht shokët e skuadrës së nuk ishin impenjuar me dashje, sidomos në pjesën e parë kur pësuan 3 gola.
Ndonëse Barkero ka kërkuar falje publike ndaj skuadrës për fjalët e thëna pas ndeshjes, Liga Spanjolle ka vendosur të hapë hetime rreth kësaj çështje. “Çdo ndeshje për të cilën ka dyshime, do të hetohet me të gjitha mjetet në dispozicion të LFP”, tha një zëdhënës i Ligës.
Kohët e fundit, drejtuesit e LFP, me në krye presidentin e ri, Havier Tebas, kanë bërë të qartë se do të mundohen në çdo mënyrë t’i presin rrugën çdo manipulimi të mundshëm të ndeshjeve.
Megjithatë, mendohej se këto hetime do të bëheshin me dyshimin e ndërhyrjeve nga jashtë për të favorizuar kompanitë e basteve sportive. Ndërsa në rastin e ndeshjes së sipërpërmendur, presupozohet se skuadra a Levantes ka marrë ryshfet që të humbasë përballë një ekipi të cilit i nevojiteshin më shumë tri pikët pasi rrezikon rënien nga kategoria. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 16:54