Juventus apo jo, Zlatan Ibrahimoviç nuk do të jetë pjesë e PSZH në sezonin e ardhshëm, pasi është mërzitur nga “mediokriteti” i futbollit francez. Sulmuesi suedez nuk sheh asnjë lloj sfide në qëndrimin e tij te PSZH, vetëm për të luajtur 1-2 ndeshje entuziazmuese në muaj në Ligën e Kampioneve, ndërsa pjesa tjetër është shumë e thjeshtë dhe normale.
“Do të largohem”, këto janë fjalët që Ibra u ka thanë shokëve të skuadrës në fundjavë, pas ndeshjes së fituar 1-0 ndaj Evian, një skuadër e provincës, në një stadium ku ishin të pranishëm vetëm 12 mijë spektatorë edhe pse luante skuadra e yjeve të Francës.
“Sa të fitojmë titullin, unë do të nisem për pushime”, ka qenë mesazhi i qartë i tij, duke bërë të ditur se nuk dëshiron të aktivizohet në javët e fundit të kampionatit që nuk kanë vlerë përveç statistikave, pasi PSZH mund të sigurojë shumë shpejt matematikisht titullin e tretë në historinë e klubit, që mungon prej 19 vitesh.
Përballë këtyre pretendimeve, drejtuesit e klubit parisien duket se janë bërë gati t’i thonë lamtumirë futbollistit, edhe pse ky i fundit ka qenë arma e tyre më e fortë në këtë kampionat, duke shënuar 27 gola e dhënë 7 asist. Sulmi në merkato për të siguruar Kavanin apo Falkaon përforcon bindjen se Ibra do të largohet, me Juventusin që e pret krahëhapur. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 18:52