Tiago Silva ka lëshuar një tjetër sinjal në adresë të Milanit, duke i kërkuar kuqezinjve të mundohen ta kthejnë në radhët e tyre. Mbrojtësi brazilian, që u transferua një vit më parë nga skuadra italiane drejt PSZH, ka bërë të qartë se ndjen nostalgji për skuadrën dhe për tifozët e saj.
“Këtu në Paris jam i lumtur, por më vjen keq për tifozët milanistë. Ata i mbaj gjithmonë në zemër”, tha lojtari brazilian në një intervistë të dhënë për mediat italiane.
“Mua më kujtohet mirë edhe hera e parë që kam shkuar në “San Siro”. Unë isha në tribuna dhe ndoqa ndeshjen Milan-Fiorentina (17.01.2009). Ato momente më mbetën gjithmonë në mendje dhe që nga ai moment dëshiroja të shkruaja historinë në atë stadium, por fatkeqësisht luajta aty vetëm 3 vite”.
I pyetur se nëse një ditë do të bëhej përsëri zot i kartonit të tij, a do të zgjidhte të kthehej në Milano, përgjigja ka qenë e menjëhershme.
“Po, ekziston një mundësi shumë e madhe. Më mungojnë të gjitha gjërat e mira të jetës që nuk i kam pranë vetes dhe mes tyre janë Fluminense dhe Milani”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 15:43