Lajmi se Mario Baloteli kishte vënë bast të dashurën për ndeshjen Real Madrid-Borusia Dortmund, ka bërë xhiron e botës, ndonëse në fakt një deklaratë e tillë e futbollistit nuk ka ekzistuar asnjëherë.
“Nëse Real Madrid realizon përmbysjen ndaj Borusia Dortmund dhe shkon në finalen e Ligës së Kampioneve, atëherë do të lejoj që të gjithë lojtarët e spanjollëve të flenë me të dashurën time”, ishte fraza që u shfaq 2 ditë më parë në mediat spanjolle, e publikuar fillimisht nga disa tifozë të Realit në rrjetet sociale, e më pas e marrë si e mirëqenë në Angli dhe në pjesën tjetër të Evropës, me të gjithë mediat më të rëndësishme që nuk ngurruan ta publikonin.
Fakti se Baloteli është një personazh i paparashikueshëm, prej të cilit pritet gjithçka, bëri që shumëkush ta besonte se ai kishte thënë një gjë të tillë, por Milani ka publikuar një deklaratë për shtyp ku përgënjeshtron gjithçka.
“AC Milan përgënjeshtron atë që është publikuar sot nga “Corriere della Sera”, duke iu referuar tabloidit britanik “The Sun”, në lidhje me deklarata që presupozohet se janë bërë nga Mario Baloteli rreth ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund. AC Milan insiston se lojtari nuk ka thënë asnjëherë asgjë apo ka komentuar rreth kësaj teme në ndonjë nga agjencitë e lajmeve apo media”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga klubi italian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 10:15