Andrea Pirlo ka zbuluar se ka qenë shumë pranë firmës me skuadra si Çelsi, Real Madrid apo Barcelona, po të mos ishte për presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni. 33 vjeçari kaloi 10 vite te Milani, para se të largohej në vitin 2011 drejt Juventusit, një vendim të cilin ai e ka vlerësuar si më të mirin e karrierës, por ka zbuluar gjithashtu se si ka marrë oferta shumë të rëndësishme në vitet e mëparshme.
“Kisha arritur një marrëveshje me Çelsin, por pastaj Berluskoni ndërhyri dhe unë qëndrova te Milani. Kur Kapelo ishte te Real Madrid, isha shumë pranë asaj skuadre, për pak sa nuk firmosa me ta në vitin 2006”, tregoi mesfushori italian.
“Në vitin 2011 ishte Guardiola që më bindi t’i bashkohesha Barcelonës, por Berluskoni ndërhyri përsëri dhe kjo marrëveshje nuk u realizua”, zbuloi Pirlo në autobiografinë e tij.
“Vendimi më i mirë i karrierës time ishte që t’i bashkohesha Juventusit. A pendohem që jam larguar nga Milani? Unë vendosa se kisha nevojë për një ndryshim. Kisha nevojë të zbuloja ide të reja dhe kjo ishte gjëja më e mirë për të dy palët. Çfarë do të bëj në të ardhmen? Falë Konte, më është zgjuar dëshira për t’u bërë trajner, por do të shohim në vijim se çfarë mund të ndodhë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 12:04